
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë raportuar raste ku pakoja e fletës së votimit për diasporën është lënë në kuti postare, poshtë derës, apo edhe në duar të personave të tjerë, dhe jo votuesit personalisht. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike Franc Nuri tha se zarfet ka raste që janë lënë në kutinë postare, ose poshtë derës, ose ju janë lënë familjarëve apo edhe fqinjëve.
Sipas tij, nuk është respektuar detyrimi për t’u identifikuar me dokument dhe dorëzimi personalisht. Kreu i KQZ-së Ilirian Celibashi pranoi problemet, dhe tha se po bisedohet me kompaninë postare, por saktësoi se nuk është e qartë se sa të shpeshta janë këto raste. “Shqetësimet tuaja do t’i adresojmë me kompaninë, por duhet të kuptojmë nëse janë raste sporadike, apo fenomen. Janë dorëzuar deri tani 71 mijë zarfe tek zgjedhësit dhe nuk është e qartë sa ka qenë numri i rasteve si këto, jashtë protokollit, që nuk duhet të ndodhin. Rastet më të shpeshta janë nga Greqia, është mirë që të na sillni të gjitha rastet individuale që të adresohen rast pas rasti tek kompania”, u shpreh Celibashi.