Von der Leyen përballet me mocion të dytë votëbesimi – BE në krizë besimi dhe uniteti

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të përballet të enjten (09.10.2025) me një mocion të dytë votëbesimi në Parlamentin Evropian, vetëm tre muaj pas të parit. Edhe pse nuk pritet të shkarkohet, procedura e përsëritur nxjerr në pah tensionet e brendshme dhe mungesën e stabilitetit në qendër të politikës evropiane.
Seanca plenare e zhvilluar të hënën në Strasburg u karakterizua nga debate të ashpra dhe akuza të ndërsjella. Kryetari francez i grupit të ekstremit të djathtë “Patriotë për Europën”, Jordan Bardella, e akuzoi Von der Leyen për mungesë transparence, dështim në politikën e migracionit dhe për “kapitullimin e Europës” përballë SHBA-së në marrëveshjen për doganat.
Nga ana tjetër, kryetarja e grupit të majtë, Manon Aubry, e akuzoi presidenten për dështim në qëndrimin ndaj luftës në Gazë, mungesë përparimi në Green Deal dhe fokus të tepruar në blerjen e armëve, duke i kërkuar hapur dorëheqjen.
Von der Leyen reagoi me qetësi, duke bërë thirrje për unitet. “Kundërshtarët tanë janë të gatshëm të shfrytëzojnë çdo përçarje dhe i nxisin ato në mënyrë aktive,” tha ajo.
Ekspertët vlerësojnë se mocioni i ri është pasojë e dobësimit të bashkëpunimit mes dy forcave tradicionale të qendrës – socialdemokratëve dhe kristiandemokratëve – si dhe e stilit drejtues të Von der Leyen, që shumë e shohin si tepër hierarkik e të centralizuar.
Sipas Olivier Costa nga CNRS, “Presidentja e Komisionit e kupton postin e saj si një kryeministre. Kjo ka krijuar pakënaqësi si në parlament, ashtu edhe brenda komisionit.”
Raportet e mazhorancës janë bërë më të vështira se kurrë. Koalicioni tradicional midis Partive Popullore Evropiane (EVP) dhe Socialdemokratëve (S&D) nuk siguron më shumicë të qëndrueshme, ndërsa EVP në disa raste ka bashkëpunuar me ekstremet e djathta për votime mbi çështje të migracionit dhe mjedisit.
Kjo situatë, sipas analistes politike Almut Möller nga EPC, po e lëkund bazën mbi të cilën qëndron Komisioni: “Durimi ndaj kursit të Von der Leyen po humbet, veçanërisht në qendër.”
Kritika ndaj saj vjen nga të gjitha anët – liberalët kërkojnë më shumë reforma dhe më pak burokraci, konservatorët ankohen për vendimmarrje të njëanshme, ndërsa të majtët dhe ekologjistët akuzojnë Komisionin për braktisjen e agjendës së gjelbër dhe sociale.
Ekspertët paralajmërojnë se mocioni është njëkohësisht shenjë e gjallërisë demokratike dhe e rrezikut për destabilizim. “Përballjet janë pjesë e demokracisë, por nëse dominojnë, ekziston rreziku i humbjes së kontrollit,” paralajmëron Costa.
Ndërsa votimi i së enjtes pritet ta lërë Von der Leyen në detyrë, vëmendja është te numrat: sa deputetë do ta mbështesin dhe sa do të votojnë kundër. Pikërisht kjo diferencë, sipas vëzhguesve në Strasburg, do të përcaktojë forcën e saj politike për përballjet e ardhshme në çështje kyçe si buxheti, tregtia dhe politikat klimatike.



