Kosova

Von der Leyen në Prishtinë: Integrimi në BE kërkon veprime konkrete dhe ulje tensionesh

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, qëndroi të mërkurën në Kosovë në kuadër të turneut të saj në Ballkanin Perëndimor. Gjatë vizitës, ajo u takua me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në një takim të zhvilluar në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Në qendër të diskutimeve ishin përkushtimi i Kosovës ndaj rrugës së integrimit evropian, Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe kërkesa për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.

Pas takimeve, von der Leyen tha se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar ndaj së ardhmes evropiane të partnerëve të Ballkanit Perëndimor, por theksoi se integrimi kërkon ndërtimin e institucioneve funksionale dhe uljen e tensioneve të brendshme.

Presidentja Osmani, sipas një njoftimi nga Presidenca, kërkoi heqjen e masave të padrejta ndaj Kosovës dhe nënvizoi rëndësinë e miratimit të Planit të Rritjes sapo të konstituohet Kuvendi i ri. Ajo gjithashtu kërkoi që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke theksuar përkushtimin e institucioneve ndaj reformave dhe forcimit të demokracisë.

Ndërkaq, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian dhe kërkoi përshpejtimin e procesit të dorëzimit të pyetësorit për anëtarësim. Ai theksoi se zgjedhjet lokale të mbajtura së fundmi ishin të lira dhe demokratike, si dëshmi e funksionimit të institucioneve.

Kurti i dorëzoi von der Leyen tri letra zyrtare për nisjen e dialogut strategjik në fushat e bujqësisë, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), si dhe industrisë së mbrojtjes – sektorë ku Kosova synon të thellojë bashkëpunimin ekonomik me BE-në përmes iniciativës “Single Market Highway”.

Në përmbyllje të vizitës, të dy liderët kosovarë kërkuan mbështetje më konkrete nga BE-ja, ndërsa von der Leyen theksoi se rruga drejt integrimit evropian kërkon veprime konkrete dhe bashkëpunim të vazhdueshëm.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button