Kosova

Veseli, Selimi dhe Krasniqi heqin dorë nga e drejta për shqyrtim periodik të paraburgimit – Apeli rrëzon ankesën e tyre

Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë hequr dorë nga e drejta për shqyrtim periodik të paraburgimit deri në marrjen e vendimit të Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, lidhur me ankesën e tyre për refuzimin e kërkesave për lirim të përkohshëm.

Sipas dokumenteve gjyqësore, Veseli dhe Krasniqi kishin dorëzuar njoftimet për heqje dorë më 10 qershor 2025, ndërsa Selimi më 11 qershor 2025. Mirëpo, ankesa e tyre është rrëzuar në tërësi më 13 gusht 2025, përmes vendimeve të ndara të gjyqtares Michele Picard.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria kishte përfunduar paraqitjen e provave, ndërsa mbrojtja kërkoi rrëzimin e disa akuzave sipas Rregullës 130. Më 16 korrik 2025, trupi gjykues i kryesuar nga Charles Smith III e refuzoi këtë kërkesë, duke theksuar se incidentet e kundërshtuara nga mbrojtja nuk përbënin akuza në kuptimin e kësaj rregulle.

Po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave paraqiti provat e veta përmes dy dëshmitareve eksperte, të cilat dëshmuan më 16 dhe 17 korrik 2025.

Aktakuza e konfirmuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit është dorëzuar më 30 shtator 2022 dhe përmban dhjetë pika për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në prill të vitit 2022, Prokuroria kishte shtuar edhe akuza të tjera për krime lufte në Gjilan, Budakovë dhe Semetishtë.

Katër të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm gjatë paraqitjeve të para në nëntor të vitit 2020, ndërsa aktakuza ndaj tyre ishte konfirmuar më 26 tetor 2020.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button