Vazhdon gjykimi për sulmin terrorist në Banjskë: dëgjohen dëshmitarët në Gjykatën Themelore të Prishtinës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën po mbahet seanca e radhës ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq.
Seanca pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Më herët, pas propozimit të prokurorit special Naim Abazi që gjykimi të vazhdojë në mungesë për pjesën tjetër të të akuzuarve, Gjykata Themelore në Prishtinë i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për opinion lidhur me mundësinë e aplikimit të gjykimit në mungesë në rastin “Banjska”.
Mirëpo, Gjykata Supreme kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që mund të ketë shkalla e parë gjatë procedimit të rasteve.
Pas këtij qëndrimi, Gjykata Themelore në Prishtinë refuzoi propozimin për vazhdimin e gjykimit në mungesë për 42 të akuzuarit tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik), duke bërë të ditur se për ta është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar dhe pritet ndalimi apo ekstradimi i tyre.
Në seancën e mëparshme të mbajtur më 17 prill 2025, tre të akuzuarit—Toliq, Maksimoviq dhe Spasojeviq—u deklaruan të pafajshëm, ndërsa palët dhanë fjalët hyrëse. Edhe në shqyrtimin fillestar të 9 tetorit 2024, ata kishin mohuar fajësinë.
Më 6 dhjetor 2024, Gjykata Themelore kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtja e të akuzuarve.
Vendimi ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit më 13 mars 2025, duke konfirmuar aktakuzën ndaj tyre.
Aktualisht, në paraburgim ndodhen vetëm tre të akuzuarit për të cilët është veçuar procedura penale, ndërsa aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon gjithsej 44 persona fizikë dhe një person juridik, kompaninë “RAD D.O.O.”, me në krye Milan Radoiçiqin, i cili është identifikuar si organizatori kryesor i sulmit.
Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shtator 2024, të akuzuarit ngarkohen se përmes dhunës dhe përdorimit të armatimit të rëndë tentuan të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës dhe t’ia bashkonin Republikës së Serbisë.
Si pasojë e sulmit, u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën dy zyrtarë të tjerë.
Ngjarja ndodhi në orët e hershme të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku pas përleshjeve të armatosura u vranë tre sulmues, ndërsa pjesa tjetër e grupit u tërhoq dhe u strehua për disa orë në Manastirin e Banjskës.
Më vonë, Milan Radoiçiq publikisht mori përgjegjësinë për sulmin terrorist.



