Bota

Vapa ekstreme thyen rekorde temperaturash dhe nxit zjarre të fuqishme në Evropë

Evropa po përballet me një valë të re nxehtësie ekstreme, e cila po thyen rekorde temperaturash dhe po nxit zjarre masive në disa vende të kontinentit. Në Francën jugperëndimore, të hënën u regjistruan temperatura 12°C mbi mesataren e dekadave të fundit, duke vendosur rekorde të reja në qytete si Angoulême, Bergerac, Bordeaux, Saint-Émilion dhe Saint-Girons.

Në Kroaci, rekorde të reja u shënuan në Shibenik me 39.5°C dhe Dubrovnik me 38.9°C, ndërsa përgjatë bregdetit shpërthyen zjarre të mëdha që prekën edhe vendet fqinje të Ballkanit. Edhe jashtë Evropës, vala e të nxehtit po lë pasoja: në Irak, temperaturat mbi 50°C shkaktuan një ndërprerje të madhe të energjisë, ndërsa në Kanada u thyen dhjetëra rekorde të nxehtësisë.

Në Itali, 16 nga 27 qytete të mëdha janë nën alarm për vapë të fortë, me një rast fatal të një fëmije 4-vjeçar nga goditja e të nxehtit. Në Spanjë, një burrë humbi jetën në një zjarr pasi pësoi djegie në 98% të trupit. Shkencëtarët theksojnë se karakteristika kryesore e kësaj vale është gjatësia dhe shtrirja e saj gjeografike, jo vetëm intensiteti.

Sipas të dhënave të BE-së, këtë vit në Evropë janë djegur mbi 400,000 hektarë tokë, një rritje prej 87% krahasuar me mesataren e dy dekadave të fundit. Ekspertët paralajmërojnë se deri në fund të shekullit, nxehtësia ekstreme mund të shkaktojë deri në 80,000 vdekje më shumë në vit, nëse nuk merren masa të forta të shëndetit publik.

Organizata Botërore Meteorologjike ka paralajmëruar se zjarret dhe ndotja e ajrit po përkeqësojnë rreziqet shëndetësore të vapës, teksa temperaturat e larta po prekin edhe rajone të Azisë, Afrikës Veriore dhe SHBA-së. Shkencëtarët e cilësojnë këtë situatë si një tjetër paralajmërim të qartë për ngrohjen globale

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button