Valë e nxehti dhe zjarre shkatërruese godasin Evropën Jugore

Evropa Jugore po përballet me një verë të jashtëzakonshme të nxehtë dhe shkatërrimtare, ndërsa Portugalia, Greqia, Italia dhe sidomos Spanja vazhdojnë betejën me flakët në mes të një vale të gjatë të të nxehtit.
Në Spanjë, ku është shënuar viktima e tretë nga zjarret – një vullnetar 36-vjeçar në rajonin e Kastiles dhe Leónit – kryeministri Pedro Sánchez shprehu ngushëllime, duke paralajmëruar se “kërcënimi mbetet ekstrem”. Vendi ndodhet në ditën e 12-të të alarmit për të nxehtë, ndërsa 11 zjarre janë në nivelin 2 nga 4. Zjarri në Zamora po shkakton shqetësim të madh, dhe Ministri i Brendshëm ka kërkuar ndihmën e BE-së me avionë “Canadair”, ndihmë që është ofruar nga Franca.
Që nga nisja e zjarreve, mbi 10,700 persona janë evakuuar dhe sipas sistemit EFFIS, në Spanjë janë djegur mbi 157,000 hektarë tokë vetëm këtë vit – 115,000 prej tyre në gusht. Rajonet më të prekura janë Galicia, Valencia dhe Extremadura, ndërsa rreth 15 rrugë janë të mbyllura.
Në Portugali, rreth 15 mjete ajrore po luftojnë katër zjarre të mëdha, përfshirë atë në Arganil ku janë angazhuar mbi 800 zjarrfikës. Edhe zjarri në Trancoso po vazhdon prej ditësh.
Greqia ka humbur mbi 20,000 hektarë tokë nga qershori. Zjarri që kërcënonte Patrasin është vënë nën kontroll, por vatra të shpërndara mbeten aktive në disa zona dhe ishuj, me mbi 600 ekipe dhe rreth 30 avionë të angazhuar.
Italia, edhe pse është prekur më pak nga zjarret këtë verë, po përjeton temperatura përvëluese, me alarm të kuq në 16 qytete dhe termometra deri në 39°C në Firence e 38°C në Milano.
Franca po përjeton ditën e shtatë të valës së të nxehtit, me temperatura të larta në jug dhe lindje. Pas të nxehtit, vendin e goditën stuhi të forta, ndërsa për fundjavë pritet një tjetër rritje e temperaturave deri në 40°C në jugperëndim.