“Turizëm në errësirë” – Bardh Spahia denoncon krizën energjetike në Theth

Ish-kreu i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia, ka ngritur alarmin për situatën shqetësuese të energjisë elektrike në Theth, një nga destinacionet më të bukura turistike të Shqipërisë. Në një video të publikuar në Facebook, ai e ka cilësuar këtë situatë si “turizëm në errësirë”, duke denoncuar mungesën kronike të energjisë elektrike dhe pasojat e rënda që po përjetojnë banorët dhe bizneset e zonës.
Spahia akuzon ashpër autoritetet shtetërore për “indiferencë kriminale” ndaj kësaj problematike, ndërsa shprehet se qytetarët përballen me dëme ekonomike të konsiderueshme, për shkak të ndërprerjeve të vazhdueshme të energjisë. Ai thekson se, ndonëse OSHEE dhe Ministria e Energjetikës vijojnë të arkëtojnë fatura të larta nga konsumatorët, niveli i shërbimit është skandaloz dhe i papranueshëm.
“Në vend që të ofrojnë një shërbim dinjitoz, ata mjaftohen me propagandë. Numrat e publikuar për shërbimin ndaj klientit nuk funksionojnë dhe qytetarët ndihen të braktisur”, u shpreh Spahia.
Në postimin e tij, ai bën thirrje që kjo situatë të marrë fund dhe energjia elektrike të mos konsiderohet më si një luks, por si një e drejtë bazë për çdo qytetar shqiptar, veçanërisht në zona me potencial të lartë turistik si Thethi.