Turist turk arrestohet në Krujë, godet me makinë rojen e parkingut pas një konflikti

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qytetin e Krujës, ku një turist turk është arrestuar nga policia pas një përplasjeje fizike me rojen e një parkingu privat pranë Kalasë së Krujës.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, shtetasi turk Y. K., 23 vjeç, u arrestua në flagrancë pasi dyshohet se ka goditur me automjet shtetasin shqiptar Bujar Dedja, 62 vjeç, pas një konflikti për pagesën e parkimit. Ngjarja ndodhi një ditë më parë, kur roja tentoi të ndalonte një çift turistësh që po largoheshin pa paguar për parkimin.
Sipas burimeve, pas debatit verbal, roja tentoi t’u bllokonte rrugën dhe u var në kofanon e automjetit të tyre. Turistët nuk ndaluan, duke e tërhequr rojen me vete për disa dhjetëra metra. Më pas, ai ra në tokë dhe u plagos rëndë. Aktualisht, 62-vjeçari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Në vijim të veprimeve procedurale, është nisur procedimi në gjendje të lirë edhe për pasagjerin në automjet, shtetasin turk R. S., 23 vjeç, për moskallëzim krimi.
Policia ka referuar materialet në Prokurori dhe po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.