Trump: Nuk ka garanci sigurie për Ukrainën, Europa duhet të marrë drejtimin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se nuk ka premtuar garanci sigurie për Ukrainën si pjesë e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës, duke theksuar se kjo nismë duhet të udhëhiqet nga Europa.
“Ndoshta,” u shpreh ai përpara gazetarëve në bordin e Air Force One, kur u pyet nëse SHBA-ja do të ofronte garanci sigurie. Sipas Trump, këto garanci nuk do të përfshinin anëtarësimin e Ukrainës në NATO. “Jo në formën e NATO-s. Ka disa gjëra që nuk do të ndodhin,” theksoi ai.
Trump nënvizoi se nuk po udhëtonte drejt Alaskës për të negociuar në emër të Ukrainës, por synimi i tij ishte të sillte presidentin rus, Vladimir Putin, në tryezën e bisedimeve. “Nuk jam këtu për të negociuar për Ukrainën. Po e bëj këtë për të shpëtuar shumë jetë,” tha ai, duke shtuar se nuk e bën këtë për interes personal.
Ai paralajmëroi gjithashtu se pasojat për Rusinë, nëse Putin nuk pranon t’i japë fund luftës, do të jenë të rënda. “Po, do të jetë shumë e rëndë,” tha Trump, duke iu referuar masave të mundshme ekonomike ndaj Moskës.