Trump në Tokio: “Epokë e re e artë” në aleancën SHBA–Japoni, mes rivalitetit me Kinën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gjatë vizitës së tij shtetërore në Tokio, ka shpallur fillimin e një “epoke të re të artë” për aleancën SHBA–Japoni. Ai dhe Kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi, nënshkruan të martën (28 tetor 2025) një deklaratë të përbashkët që synon forcimin e partneritetit ekonomik dhe ushtarak midis dy vendeve.
Gjatë takimit në Tokio, Trumpi dhe Takaichi nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e lëndëve të para strategjike dhe publikuan një listë projektesh të përbashkëta në energji, inteligjencë artificiale dhe teknologji të avancuara. Kompanitë japoneze janë zotuar të investojnë deri në 400 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara.
Vizita e Trumpit në Tokio, ndalesa e dytë e turit të tij aziatik pas Malajzisë, u pa si një demonstrim force përpara takimit të tij me Presidentin kinez, Xi Jinping, në Korenë e Jugut. Në portin e Yokosukës, Trumpi dhe Takaichi vizituan aeroplanmbajtësen bërthamore USS George Washington, ku presidenti amerikan deklaroi se SHBA “do të jetë më e fuqishme se kurrë më parë”.
Kryeministrja japoneze, e njohur si pasuese politike e ish-kryeministrit Shinzo Abe, u kujdes për një pritje të ngrohtë ndaj Trumpit, duke i dhuruar atij shkopin e golfit të Abesë si simbol të miqësisë së tyre të dikurshme.
Në drekën zyrtare, liderët u shërbyen me oriz dhe mish viçi amerikan, si shenjë e gatishmërisë së Japonisë për të rritur importet bujqësore nga SHBA. Tokio gjithashtu i ofroi Uashingtonit marrëveshje për blerje soje, gazi natyror dhe automjetesh amerikane.
Në anën e mbrojtjes, Japonia njoftoi se do të rrisë shpenzimet ushtarake në 2% të PBB-së që në vitin fiskal 2025, dy vjet më herët se planifikimi fillestar. Trump e përshëndeti këtë vendim dhe konfirmoi se SHBA do të nisë këtë javë dërgesat e raketave për avionët F-35.
Në fjalimin e saj, Takaichi lavdëroi Trumpin për “arritjet e tij në paqen ndërkombëtare”, duke përfshirë ndërmjetësimet mes Kamboxhias dhe Tajlandës, si dhe mes Izraelit dhe Hamasit. Ajo njoftoi se do ta propozojë Trumpin për Çmimin Nobel për Paqen.
Të dy udhëheqësit nënshkruan gjithashtu një marrëveshje për furnizime me minerale kritike dhe metale të rralla, për të reduktuar varësinë nga Kina. Marrëveshje të ngjashme, Trumpi i kishte firmosur më herët edhe me vende të tjera të Azisë Juglindore.
Sipas marrëveshjes së arritur gjatë verës, Japonia do të investojë 550 miliardë dollarë në SHBA, ndërsa Uashingtoni uli tarifat e importit për mallrat japoneze në 15%.
Vizita e Trumpit në Tokio konfirmon afrimin e ri midis dy aleatëve, në një kohë kur tensionet me Pekinin janë në rritje dhe ndikimi kinez në rajonin Indo-Paqësor po shihet si sfida kryesore e dekadës së ardhshme.



