Tri skuadra shqiptare ende në garë për Europë

Janë vetëm tri skuadra shqiptare që kanë mbetur ende në garë për kualifikim në kompeticionet evropiane: Drita nga Kosova, Dinamo City nga Shqipëria dhe Shkëndija nga Maqedonia e Veriut.
Shkëndija duket më e favorizuara, pasi ka siguruar kualifikimin në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, por synon të shkojë edhe më lart. Ekipi nga Tetova do të përballet në play-offin e Ligës së Europës me skuadrën bullgare, Ludogorets.
Drita, kampionia e Kosovës, u eliminua mbrëmë në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Europës, por do të vazhdojë garën në play-offin e Ligës së Konferencës kundër ekipit nga Luksemburgu, Differdange, të cilin e kishte eliminuar pak javë më parë nga kualifikimet për Ligën e Kampionëve.
Ndërkohë, Dinamo City shkroi histori duke u kualifikuar në play-off të Ligës së Konferencës, pas eliminimit të gjigantit kroat, Hajduk Split. Ekipi i drejtuar nga Ilir Daja do të ketë përballë në play-off skuadrën polake, Jagiellonia.
Ndeshjet e para do të zhvillohen më 21 gusht, ndërsa ato të kthimit një javë më vonë.