Rajoni

Tragjedi në Volos: Ndërron jetë shqiptari 42-vjeçar pas një aksidenti të rëndë rrugor

Një aksident i rëndë rrugor i ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes i ka marrë jetën një shqiptari 42-vjeçar në qytetin e Volosit, Greqi.

Ngjarja tragjike ka ndodhur rreth dhjetë minuta para mesnate në rrugën “Larissis”, në kryqëzimin me rrugën “Ypsilantou”. Sipas informacioneve paraprake, viktima po udhëtonte me motor nga zona e Shën Anargyrit në drejtim të Larissis, kur u përplas me një makinë të drejtuar nga një 26-vjeçar vendas.

Përplasja ka qenë tepër e fortë, duke shkaktuar dëmtime të rënda për drejtuesin e motorit. Në vendngjarje mbërriti menjëherë një ambulancë, e cila e transportoi të lënduarin drejt spitalit.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë, 42-vjeçari ndërroi jetë rreth dy orë e gjysmë pas aksidentit.

Policia po heton rrethanat e plota të aksidentit për të përcaktuar përgjegjësitë.

Shfaq më shumë
Back to top button