Tragjedi në Gramsh: Shembja e një masivi dheu i merr jetën dy punëtorëve në kantierin e hidrocentralit

Një ngjarje tragjike ka ndodhur këtë të shtunë në zonën e Holtës, ku një masiv dheu është shembur pranë një kanali që furnizon me ujë një hidrocentral në ndërtim, duke shkaktuar humbjen e jetës së dy personave.
Sipas informacioneve paraprake, viktimat janë shtetasit A. B., 22 vjeç dhe E. Ll., 32 vjeç, punëtorë të angazhuar në kantierin e ndërtimit të hidrocentralit. Dyshohet se ata janë zënë poshtë nga dheu që ka rrëshkitur aksidentalisht gjatë punimeve.
Policia dhe ekipet mjekësore kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes pas njoftimit, ndërsa po vijojnë kërkimet për të verifikuar nëse ka persona të tjerë të prekur nga shembja.
Ngjarja ndodhi vetëm pak ditë pas një tjetër tragjedie në zonën e Klosit, ku një masiv kromi i mori jetën një 29-vjeçari, duke ngritur sërish shqetësime për sigurinë në kantierët e punës dhe zbatimin e masave mbrojtëse për punëtorët.
Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit. Autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje për përgjegjësitë apo për masat e sigurisë në kantierin ku ndodhi tragjedia.