Lajme

Tragjedi në Friburg: Dyshohet për femicid të ndjekur nga vetëvrasje – Viktimat, çift kosovar

Autoritetet zvicerane kanë konfirmuar hipotezën e një femicidi të ndjekur nga vetëvrasja, pas zbulimit të dy trupave pa jetë në një vilë në Epagny, Gruyère, e përfshirë nga flakët të enjten.

Viktimat janë një çift me origjinë kosovare – një burrë 41-vjeçar dhe një grua 39-vjeçare – të cilët nuk banonin në vilën ku ndodhi tragjedia. Sipas raportimeve të RTS dhe të dhënave të hetimeve paraprake, burri kishte hyrë i armatosur në shtëpinë ku gruaja punonte si pastruese, ku më pas e qëlloi katër herë me një armë gjahu, duke i shkaktuar vdekjen. Pas aktit, ai është ngjitur në katin e sipërm të vilës ku ka kryer vetëvrasje.

Ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e një çifti të moshuar, të cilët ishin të vetmit banorë të vilës. Burri i moshuar ka dëgjuar të shtënat dhe është urdhëruar nga autori të largohet menjëherë.

Pas krimit, një zjarr përfshiu ndërtesën dhe shkaqet e tij janë ende objekt hetimi. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e një akti të qëllimshëm kriminal, por po shqyrtojnë edhe pista të tjera.

Prokurori i Përgjithshëm Fabien Gasser bëri të ditur se çifti ishte përfshirë më parë në një rast të dokumentuar të dhunës në familje. Autori ishte arrestuar më 18 shtator 2024 dhe mbajtur në paraburgim deri më 5 dhjetor, kur u lirua me kusht, me ndalesë për t’iu afruar apo kontaktuar viktimën dhe detyrim për terapi për menaxhimin e dhunës.

Më 2 dhjetor, gjatë një seance gjyqësore, gruaja tërhoqi akuzat për dhunë seksuale, por jo për dhunë fizike – çka çoi në lirimin e burrit nga paraburgimi.

“Është një dështim, pavarësisht punës së bërë,” tha prokurori Gasser, duke theksuar se institucionet do të rishikojnë procedurat e ndjekura në këtë rast.

Çifti ka lënë pas fëmijë, për të cilët autoritetet kanë marrë masat e nevojshme për kujdestari.

Hetimet janë në vazhdim për të ndriçuar plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button