Topalli thirrje diasporës: Votoni Nr. 1 – PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore

Drejtuesja politike e Partisë Demokratike për Diasporën, Jozefina Topalli, ka publikuar në rrjetet sociale një foto të një shqiptari që jeton jashtë vendit, i cili ka pranuar zarfin me fletën e votimit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
“Diaspora po vendos! Fletët e votimit po mbërrijnë në shtëpitë tuaja. Mos e humb këtë shans. Voto Nr. 1”, shkruan Topalli, duke i bërë thirrje bashkatdhetarëve që të mbështesin koalicionin PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se po vijon me procesin e shpërndarjes së fletëve të votimit për shqiptarët jashtë vendit, të cilët janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhje. Deri më tani, sipas të dhënave zyrtare të publikuara në orën 10:30 të mëngjesit, janë dorëzuar gjithsej 131,874 zarfe, ndërsa 9,157 janë marrë nga votuesit.
Sipas KQZ-së, zarfat janë dërguar për shtetas shqiptarë që jetojnë në shtete të ndryshme të botës, dhe që vijnë nga qarqet Elbasan, Durrës, Berat, Gjirokastër, Dibër, Korçë dhe Kukës.
Procesi i votimit nga diaspora shihet si një moment kyç në këto zgjedhje, teksa përfaqësuesit politikë po intensifikojnë thirrjet për pjesëmarrje masive.