Të shtëna me armë në Itali, plagoset një 25-vjeçar shqiptar – konflikti shpërthen në parkingun e një supermarketi në Spinea

Një 25-vjeçar shqiptar ka mbetur i plagosur mbrëmjen e së shtunës në qytetin Spinea të Italisë, pas një përleshjeje të dhunshme mes tre personave që përfundoi me të shtëna me armë zjarri. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:30, në parkingun e një supermarketi në zonën Orgnano, pak para mbylljes së dyqanit.
Fillimisht u raportua se të përfshirë ishin katër persona, por hetimet kanë konfirmuar se bëhet fjalë për tre, të gjithë banues në zonën e Venecias dhe me precedentë penalë. Viktima, i cili mbeti i plagosur në këmbë, është dërguar vetë në spitalin e Miranos, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas autoriteteve italiane, dyshohet se autor i të shtënave është një 37-vjeçar shqiptar, i cili shoqërohej nga një 33-vjeçar me origjinë nga Europa Lindore, me shtetësi ende të paqartë, por e cila dyshohet të jetë nga një shtet i ish-Jugosllavisë.
Ngjarja ka nisur si një debat verbal, i cili shpejt është përshkallëzuar në dhunë fizike mes dy shqiptarëve pranë hyrjes së supermarketit. Pas ndërhyrjes së kalimtarëve, situata u qetësua për pak çaste, por tensioni rifilloi kur disa nga të përfshirët dolën jashtë me shkopinj dhe leva. Më pas, njëri prej tyre shkoi drejt makinës, mori një armë dhe qëlloi në drejtim të 25-vjeçarit.
Fatmirësisht, plumbi nuk goditi zona jetike dhe situata nuk pati pasoja më të rënda. Arma e përdorur në ngjarje nuk është gjetur ende nga policia.
Në vendngjarje ndërhynë menjëherë forcat e rendit nga stacioni i Spineas, të cilët rrethuan zonën, ndërsa klientët dhe familjet që ndodheshin në supermarket u strehuan brenda, të tmerruar nga të shtënat.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vijim.