Kosova
Kryesore

Takim i lartë në Shkup për zbatimin e planit të rritjes mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut po zhvillohet një takim i rëndësishëm mes udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, i fokusuar në zbatimin e Planit të Rritjes për rajonin.

Sipas njoftimit zyrtar të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, takimi dyditor nisi sot me një takim dypalësh (“tête-à-tête”) në orën 16:00 midis Kryeministrit Hristijan Mickoski dhe Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos. Më pas u zhvillua edhe një takim i zgjeruar mes delegacioneve.

Pjesa kryesore e forumit do të mbahet nesër, më 1 korrik, në ambientet e Hotel Hilton në Shkup. Pritja zyrtare e liderëve të Ballkanit Perëndimor është parashikuar për orën 9:30 të mëngjesit, ndërsa paneli i parë i konferencës, i dedikuar në mënyrë të veçantë Planit të Rritjes, do të nisë në orën 10:00. Fjalimet hyrëse do të mbahen nga Kryeministri Mickoski dhe Komisionerja Kos.

Paneli i dytë, i cili do të fillojë në orën 13:00, do të fokusohet në mekanizmat konkretë të mbështetjes dhe implementimit të Planit të Rritjes. Në të do të marrin pjesë ministra nga vendet e rajonit, përfaqësues të lartë të BE-së, organizatave rajonale dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Ky takim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt integrimit ekonomik dhe institucional të Ballkanit Perëndimor në kuadër të politikave zhvillimore të BE-së.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button