Kosova

Sot mbahet seanca e parë për rastin “Banjskë” – Tre të akuzuar përballen me drejtësinë në Prishtinë

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë mbahet seanca e parë gjyqësore ndaj tre të akuzuarve për përfshirje në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, që ndodhi në shtator të vitit 2023. Para trupit gjykues do të dalin Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.

Të tre të akuzuarit u arrestuan pas sulmit ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe u vranë gjithashtu tre nga sulmuesit serbë në shkëmbim zjarri.

Rasti është pjesë e një aktakuze të gjerë të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës në shtator të vitit 2024, e cila ngarkon 45 persona me vepra penale të rënda si terrorizëm, financim të terrorizmit dhe veprime kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës. Në mesin e të akuzuarve është edhe Millan Radoiçiq, i cili publikisht mori përgjegjësinë për sulmin, por që aktualisht ndodhet në arrati, i lirë në Serbi.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme brenda grupit kriminal – nga organizimi e drejtimi i sulmit, deri te financimi dhe pastrimi i parave. Aktakuza përfshin 34 dosje me prova, përfshirë video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, deklarata dëshmitarësh dhe përgjigje nga institucione ndërkombëtare.

Ndërkohë, Serbia mohon çdo përfshirje në këtë sulm, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka cilësuar ngjarjen si incident që ende po hetohet nga autoritetet e Beogradit. Sulmi është dënuar ashpër nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka kërkuar që përgjegjësit të vihen para drejtësisë.

Seanca e sotme pritet të hedhë dritë mbi rrjedhën e mëtejme të procesit gjyqësor që është një ndër më të rëndësishmit të pasluftës në Kosovë, për shkak të implikimeve të tij politike dhe të sigurisë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button