Shtyhet seanca për dosjen e ‘Sterilizimit’ në GJKKO, Beqaj kërkon të përfaqësohet nga avokat i ri

Është shtyrë me dy javë seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për çështjen e njohur si dosja e ‘sterilizimit’. Shkak për shtyrjen u bë mungesa e avokatit të Ilir Beqajt, Ermal Yzeiraj, i cili ka paraqitur një raport mjekësor, si dhe mungesa e mbrojtësit ligjor të një të pandehuri tjetër.
Megjithëse i pranishëm në sallën e gjyqit, Ilir Beqaj deklaroi se dëshiron të përfaqësohet nga avokati Florian Bonjaku, duke lënë mënjanë mbrojtjen e caktuar kryesisht nga gjykata. Në një moment, Beqaj iu drejtua avokatit të caktuar me ironi: “Ti që paske lexuar 50 mijë faqe të dosjes time, hajde më tako te burgu.”
Gjykata pranoi kërkesën dhe vendosi t’i japë kohë avokatit Bonjaku të njihet me aktet e dosjes, duke pezulluar ndërkohë afatet e paraburgimit për të gjithë të pandehurit. Në seancë ishin të pranishëm thuajse të gjithë të akuzuarit, përfshirë edhe Ilir Rrapajn dhe Klodian Rrjepajn.
Çështja e sterilizimit është një ndër proceset më të bujshme që po shqyrton GJKKO, ku ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, dhe të tjerë janë të akuzuar për shpërdorim detyre dhe abuzim me fondet publike për një projekt me vlerë miliona euro.