Shqiprim Pula kritikon Gjykatën Kushtetuese: “Aktgjykim pa gjykim” për ngërçin parlamentar

Njohësi i çështjeve politike, Shqiprim Pula, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që lidhet me bllokimin e seancës konstituive të Kuvendit. Ai e ka cilësuar këtë vendim si të mangët, pa ndikim dhe të paaftë për të ofruar zgjidhje për ngërçin institucional.
Në një postim në Facebook, Pula shprehet se Gjykata Kushtetuese “ka dështuar në përmbushjen e rolit të saj themelor për mbrojtjen e Kushtetutës dhe zgjidhjen e krizave parlamentare”. Sipas tij, aktgjykimi i dhënë nuk ka prodhuar as jurisprudencë të vlefshme, as qartësi për deputetët, dhe as nuk ka adresuar shkeljet e pretenduara që shoqëruan procesin.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës nuk e mbrojti Kushtetutën, nuk i udhëzoi deputetët si të veprojnë, nuk e mundësoi funksionalizimin e Kuvendit, nuk i adresoi shkeljet dhe nuk e zgjodhi as ngërçin,” theksoi ai.
Pula rikujton zhvillimet e seancës së 15 prillit, kur zgjedhja e kryesisë së Kuvendit mbeti e papërfunduar për shkak të ndryshimit të mënyrës së votimit nga e hapur në të fshehtë, gjë që u kundërshtua nga një pjesë e deputetëve që më pas bojkotuan seancën.
Ai përmend se një grup deputetësh i ishte drejtuar Gjykatës më 12 maj, me pyetje rreth mënyrës së drejtimit të seancës dhe përputhshmërisë së mandateve me postet ekzekutive. Por, sipas tij, Gjykata nuk dha përgjigje substanciale.
“Gjykata nuk e trajtoi konfliktin e interesit, nuk dha interpretim të qartë për përputhshmërinë e funksioneve dhe as nuk ofroi zgjidhje konkrete për përfundimin e seancës konstituive,” shkruan Pula, duke shtuar se vendimi KO124/25 thjesht cakton një afat 30-ditor për përmbylljen e seancës, pa parashikuar pasojat në rast të vazhdimit të bllokadës.
Për ta përmbledhur situatën, ai deklaron prerazi: “Gjykata Kushtetuese me aktgjykim nuk gjykoi!”, duke nënvizuar se vendimi është i paplotë në përmbajtje dhe i pafuqishëm në ndikim institucional.