Shqetësimi i emigrantëve Shqiptarë në Toskanë për dorëzimin e zarfeve të votimit

Mbi 50 raste emigrantësh shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në rajonin e Toskanës po hasin probleme me marrjen dhe dorëzimin e zarfeve me skedat e votimit, në prag të zgjedhjeve të 11 majit. Sipas raporteve të emigrantëve në provincat e Pizës, Lukës dhe Firenzes, ka shqetësime lidhur me shërbimin e Postës DHL, e cila ka dështuar të respektojë oraret e caktuara për tërheqjen e zarfeve të plotësuara.
Emigrantët denoncojnë se, pavarësisht se kanë marrë mesazhe nga Posta DHL për marrjen e zarfeve, operatorët nuk janë paraqitur në datën dhe orën e dakortësuar. Ata kanë tentuar të kontaktojnë numrin e Postës DHL, por janë përgjigjur vetëm operatorë automatike që nuk kanë mundësuar komunikimin e drejtpërdrejtë për zgjidhjen e problemit. Në disa komuna të tjera, shqiptarët po përpiqen të organizohen vetë për të gjetur pikat më të afërta të Postës DHL, por kjo është një mundësi e pamundur për ata që jetojnë në zona të thella dhe kanë vështirësi me kohën dhe distancën.
Për më tepër, ka pasur edhe raste kur, pavarësisht se mesazhi informues nga DHL ka thënë se do të kalojnë për dorëzimin e zarfeve, kjo gjë nuk ka ndodhur, duke lënë emigrantët në pritje. Kjo situatë ka krijuar shqetësim të madh tek emigrantët shqiptarë, të cilët frikësohen se mund të humbin mundësinë për të votuar në kohë për shkak të pengesave që po hasin.
Emigrantët kërkojnë që autoritetet të ndërhyjnë dhe të sigurojnë që e drejta e tyre për të votuar në zgjedhjet e ardhshme të mos cenohet.