
Shtatë turistë spanjollë janë shpëtuar nga shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses në Tepelenë, pasi kishin mbetur të bllokuar në kanionin e Nivicës, gjatë një ekspedite më 16 prill 2025.
Turistët po eksploronin zonën e “Ujëvarës së Peshturës” duke zbritur me litar në thellësinë e kanionit, por për shkak të terrenit të vështirë, nuk arritën të vazhdonin më tej dhe mbetën të izoluar.
Pas marrjes së njoftimit, forcat e Policisë dhe zjarrfikëses ndërhynë menjëherë në vendin e ngjarjes. Fillimisht, u përdorën dronë për lokalizimin e saktë të turistëve, e më pas nisi operacioni i shpëtimit që zgjati disa orë, për shkak të kushteve të vështira në terren.
Falë bashkëpunimit dhe organizimit të mirë mes strukturave të angazhuara, u bë e mundur nxjerrja e suksesshme e turistëve nga zona e rrezikshme. Ata u transportuan në fshatin Dukaj, ku u akomoduan në një bujtinë dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Turistët shprehën mirënjohjen e tyre për Policinë dhe ekipet e tjera ndihmëse, për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar. Policia e Gjirokastrës apelon për të gjithë qytetarët dhe vizitorët që, në raste nevoje, të kontaktojnë në numrin falas 112.