Shoqata e Naftëtarëve: Vetëm një marrëveshje afatgjatë sjell stabilizim në tregjet e naftës

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme dhe pas armëpushimit dyjavor SHBA-Iran.
Përderisa, në tregjet botërore tashmë kanë filluar të ulen çmimet e naftës, në Kosovë ende nuk ka ndodhur në gjë e tillë, derisa sot çmimi është më i lartë për një cent se një ditë më parë.
Kreu i naftëtarëve, Fadil Berjani ka thënë se po presin stabilitetin e tregut të derivateve, duke shtuar se çmimet mund të fillojnë të bien gradualisht.
“Armëpushimi i fundit në mes të SHBA-ve dhe Iranit, dhe rihapja e Ngushticës së Hormuzit kanë sjellë pak qetësi në tregjet e naftës. Frika për ndërprerje të furnizimit është ulur dhe kjo u reflektua menjëherë në çmime, me indekse si USOIL dhe Brent që panë një stabilizim në orët e fundit. Megjithatë, kjo mund të jetë një reagim afatshkurtër. Nëse situata mbetet e qetë, çmimet mund të vazhdojnë të bien gradualisht. Vetëm një marrëveshje e qëndrueshme dhe afatgjatë do të sillte stabilizim të vërtetë për tregjet e naftës, edhe në Kosovë.”, ka thënë Berjani.



