Shkollat në Prishtinë gati për nisjen e mësimit tërëditor më 1 shtator

Shkollat e kryeqytetit janë gati t’i presin nxënësit më 1 shtator, teksa përgatitjet për mësimin erëditor janë në fazën përfundimtare. Korridoret janë renovuar, klasat e sistemuara dhe gjithçka është përgatitur për nisjen e fazës së dytë të këtij programi.
Në shkollën “Ganimete Terbeshi” kjo fazë zbatohet për herë të parë, ku nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën do të qëndrojnë nga ora 8:30 deri në 15:30. Drejtoresha Shkurte Gashi thekson se komuniteti ka mirëpritur vendimin. “Fëmijët e shkollës do të jenë të barabartë me ata në qendër të qytetit. Programi i mësimit tërëditor është një reformë e re dhe pritet me shumë entuziazëm”, tha ajo.
Drejtori i arsimit në komunën e Prishtinës, Samir Shahini, tha se përgatitjet përfshijnë rregullimin e nyjeve sanitare, ndërrimin e dyerve dhe dritareve, si dhe përgatitjen e kuzhinave, për të siguruar shujta për 1850 fëmijë në bazë ditore. “Shumica e shkollave janë gati për të nisur mësimin saktë më 1 shtator”, shtoi Shahini.
Ndërsa njohësi i arsimit Rinor Qehaja thekson se mësimi tërëditor duhet parë si një përgjegjësi ndaj nxënësve dhe jo si premtim elektoral.
Përveç shkollës “Ganimete Terbeshi”, mësimi tërëditor këtë vit do të fillojë edhe në shkollat “Zenel Hajdini” dhe “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, “Ditët e Minatorit” në Kishnicë, “Avni Rrustemi” në Mramur dhe shkolla “Teuta” në Grashticë.