Kosova
Kryesore

SHBA anulon mbi 6 mijë viza studentore në vitin 2025

Departamenti i Shtetit ka konfirmuar se gjatë vitit 2025 janë anuluar mbi 6,000 viza studentore në Shtetet e Bashkuara për shkak të tejkalimit të afateve të qëndrimit, shkeljeve të ligjit dhe në disa raste për mbështetje për terrorizmin.

Ambasada Amerikane në Tiranë shpërndau njoftimin, duke iu referuar mediave amerikane, ku theksohet se “çdo vizë studenti e anuluar nën administratën Trump ka ndodhur sepse individi ose ka shkelur ligjin, ose ka shprehur mbështetje për terrorizmin”.

Sipas Fox News, administrata Trump ka nisur një sërë nismash për kufizimin e imigracionit dhe rishikimin e statusit të vizave të studentëve që ndjekin institucione akademike në SHBA. Studentët që kanë marrë pjesë në protestat pro-palestineze janë përballur me kontrolle të shtuara, ndërsa Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka konfirmuar se administrata është duke shqyrtuar më nga afër vizat e këtyre grupeve.

Nga vizat e revokuara:

Rreth 4,000 u anuluan për shkak të shkeljeve ligjore, përfshirë sulme, drejtim automjeti nën ndikimin e alkoolit apo drogës dhe vjedhje me thyerje.

Afërsisht 800 studentë humbën vizën pas përfshirjes në raste të dhunës apo arrestime të lidhura me sulme.

200 deri në 300 raste lidhen me mbështetje për terrorizmin, ku sipas zyrtarëve, studentët janë përfshirë në aktivitete si mbledhje fondesh për Hamasin, një grup i shpallur terrorist nga SHBA.

Në total, gjatë vitit 2025 janë tërhequr 40,000 viza të huaja, shumë më tepër krahasuar me 16,000 të revokuara në të njëjtën periudhë nën administratën Biden.

Masat e rrepta ndaj vizave studentore përputhen me urdhrat ekzekutivë të Presidentit Donald Trump, të cilët synojnë forcimin e kontrolleve të sigurisë kombëtare dhe luftimin e antisemitizmit.

Megjithatë, demokratët e kanë kundërshtuar këtë qasje, duke paralajmëruar për shkelje të procesit të rregullt ligjor. Senatori Jeff Merkley tha se anulimi i vizave pa një proces të qartë është “një sulm themelor ndaj lirisë”.

Një vizë studentore u lejon të huajve të studiojnë për një periudhë të caktuar në SHBA, por nuk ofron të njëjtat të drejta që jep një kartë jeshile për qëndrim afatgjatë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button