Serbi: 114 të arrestuar pas incidenteve në protesta, mes tyre tre shtetas të huaj

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka njoftuar se 114 persona janë arrestuar pas incidenteve të ndodhura gjatë protestave në qytete të ndryshme të vendit, përfshirë tre shtetas të huaj nga Kroacia, Sllovenia dhe Italia.
Duke folur në një konferencë për media të premten, Daçiq kritikoi praninë e të huajve në protestat antiqeveritare, duke pyetur: “Çfarë po bën një qytetar kroat në një protestë dhe duke sulmuar xhandarmërinë? Imagjinoni sikur një turmë serbe të shkonte në Zagreb dhe të sulmonte policinë atje”.
Ai bëri të ditur se shtetasi slloven i ndaluar është me origjinë serbe dhe ka mbaruar studimet për inteligjencë në Shtetet e Bashkuara, duke shtuar me ironi: “Kaq për mungesën e përfshirjes së huaj”.
Sipas tij, gjatë përplasjes së së enjtes mbrëma në Beograd dhe Novi Sad u plagosën 75 oficerë policorë, ndërsa janë ngritur 34 kallëzime penale dhe janë shqiptuar 28 masa për kundërvajtje. Në tre ditët e fundit, gjithsej 121 policë janë plagosur në protesta, nëntë prej tyre rëndë.
Protestat antiqeveritare, të udhëhequra nga studentët, po zhvillohen prej më shumë se nëntë muajsh, duke kërkuar përgjegjësi nga autoritetet për vdekjen e 16 personave pas shembjes së një strehe betoni në stacionin e trenit në Novi Sad, më 1 nëntor. Qeveria ka mohuar përgjegjësinë dhe ka refuzuar të shpallë zgjedhje të parakohshme.
Gjatë këtyre tubimeve, krahas protestuesve antiqeveritarë, janë mbledhur edhe mbështetës të Qeverisë, duke u shënuar disa incidente.