Kosova

SBASHK kritikon mungesën e dialogut me MASHT-in: Pakënaqësitë në rritje, paqartësi për fillimin e vitit të ri shkollor

Tre dhjetori i vitit të kaluar ka qenë hera e fundit kur Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës (SBASHK) është ulur në tryezë me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT). Kjo mungesë e dialogut mbetet një nga shqetësimet kryesore të sindikatës, sipas nënkryetares Vjollca Shala.

“Kërkesat tona tashmë janë të njohura. Njëra prej tyre është dialogu social – gjë që realisht nuk ekziston mes nesh dhe MASHT-it. Po ashtu, çështja e kontratës kolektive mbetet pezull. Draftin e kemi dorëzuar, por nuk ka pasur asnjë përgjigje. Takimi i fundit ishte me 3 dhjetor,“ deklaroi Shala për RTV21.

Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit nuk ka dhënë asnjë reagim lidhur me këto akuza të SBASHK-ut.

Pakënaqësitë e sindikatës, përveç deklaratave publike, shpesh janë shoqëruar me veprime sindikale, përfshirë grevat. Mirëpo, ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka shprehur shqetësimin se pasojat e këtyre grevave po i bartin kryesisht nxënësit, të cilët po përballen me vështirësi në arritjen e rezultateve të kënaqshme në testet ndërkombëtare.

“Kjo është e vërtetë, sidomos duke pasur parasysh gjendjen në sistemin arsimor dhe rezultatet jo të kënaqshme të testeve ndërkombëtare. Grevat përkthehen në humbje të mësimit për nxënësit. Por, përvoja e së kaluarës ka treguar se edhe vetë punonjësit e arsimit pësojnë, sidomos kur krijohet një narrativ që dëmton funksionin fisnik të profesionit të tyre”, u shpreh Pupovci për RTV21.

Aktualisht nuk ka një vendim zyrtar nga SBASHK nëse do të nisin vitin e ri shkollor 2025/2026 me greva apo veprime të tjera sindikale, por sindikata thotë se pakënaqësitë janë të thella dhe të vazhdueshme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button