Rritja e sulmeve kibernetike në Kosovë: Eksperti italian thekson nevojën për forcim të kapaciteteve të mbrojtjes

Kosova po përballet me një rritje të shqetësueshme të sulmeve kibernetike, të cilat lidhen ngushtë me zhvillimet gjeopolitike globale. Vitet e fundit janë regjistruar sulme ndaj ueb-faqeve të institucioneve publike dhe mediave, të cilat dyshohet se janë kryer nga grupe hakerësh me lidhje proruese.
Eksperti ndërkombëtar i sigurisë kibernetike, Paolo Palumbo, paralajmëron se vendi duhet të përmirësojë urgjentisht kapacitetet e tij për mbrojtje nga këto kërcënime. “Kosova mund të jetë në anën që merr goditjet e disa prej këtyre sulmeve për shkak të pozicionit të saj gjeopolitik. Qeveria dhe sektori privat duhet të përballen me këtë sfidë, duke krijuar ekipe kombëtare për reagim ndaj incidenteve (CERT), duke rritur kapacitetet e inteligjencës dhe duke investuar në kontrolle dhe korniza sigurie,” thotë Palumbo.
Ai thekson se siguria kibernetike kërkon bashkëpunim ndërkombëtar dhe një qasje organike brenda vendit për të fituar dukshmëri mbi kërcënimet, për të siguruar aftësitë për t’u përballur me to dhe për të mbrojtur infrastrukturën kritike.
Sulmet kibernetike po bëhen gjithnjë e më sofistikuara, duke përdorur mjete si inxhinieria sociale, malware dhe ransomware. Teknologjitë me përdorim të dyfishtë dhe inteligjenca artificiale përbëjnë rreziqe të shtuar, duke kërkuar kontroll dhe menaxhim të kujdesshëm.
Palumbo nënvizon gjithashtu lidhjen mes zhvillimeve gjeopolitike dhe sulmeve kibernetike, duke marrë si shembull luftën në Ukrainë, ku sulmet kibernetike përdoren si mjet presioni dhe hakmarrjeje.
Sipas ekspertit, ngritja e kapaciteteve të sigurisë kibernetike në Kosovë është një proces afatgjatë, por thelbësor për të garantuar sigurinë e institucioneve dhe të biznesit privat në një të ardhme gjithnjë më digjitalizuar.



