Kosova

Rreth 40% e kompanive rrezikojnë të mbesin pa energji nga 16 gushti

Afërsisht 40 për qind e kompanive të obliguara nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) të kalojnë në tregun e hapur të energjisë rrezikojnë të mbesin pa furnizim nga 16 gushti 2025, nëse deri të premten në mesditë nuk nënshkruajnë kontratë me një nga operatorët e licencuar.

KEDS-i ka bërë të ditur se ligjërisht nuk mund të vazhdojë furnizimin për konsumatorët pa marrëveshje aktive, duke paralajmëruar shkëputjen nga rrjeti për ata që nuk i përmbushin kushtet. Sipas burimeve të gazetës Koha, deri tani kontrata kanë nënshkruar rreth 700 nga 1.300 kompani të obliguara.

ZRRE-ja ka theksuar se procesi i liberalizimit është në përputhje me ligjin, duke përmendur vendimin e Gjykatës Komerciale që i dha të drejtë këtij institucioni në shkallën e dytë. Megjithatë, bizneset paralajmërojnë pasoja të rënda ekonomike.

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve, Kushtrim Ajazi, ka deklaruar se kostoja e energjisë për bizneset është rritur ndjeshëm, duke dhënë shembull faturimin e qershorit – muaj me konsum më të ulët – ku çmimet kanë qenë dy herë më të larta se më parë. Njohësi i sektorit të energjisë, Adhurim Haxhimusa, ka kritikuar mungesën e analizës socio-ekonomike të vendimit, duke paralajmëruar efekte të rënda brenda një periudhe të shkurtër.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Amerikane, ajo Gjermano-Kosovare, Britanike, Lidhja e Bizneseve dhe Oda e Hotelerisë kanë reaguar përmes një deklarate të përbashkët, duke kërkuar nga ZRRE që të rishqyrtojë liberalizimin dhe të mos ndërpresë furnizimin nga 16 gushti. Sipas tyre, vendimi mund të shkaktojë mbyllje të reparteve, humbje vendesh pune, rritje çmimesh dhe dëme në kontratat ndërkombëtare.

Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë, i paraparë me Ligjin për Energjinë Elektrike të vitit 2016, ishte shtyrë disa herë dhe tani po zbatohet pas vendimit të gjykatës në favor të ZRRE-së. Ky proces është i detyrueshëm në vendet e BE-së, ndërsa në Ballkanin Perëndimor ende është në zhvillim.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button