Republika Srpska përballet me krizë të thellë institucionale pas vendimit për referendum

Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë ka hyrë në një paralizë të gjatë politike, duke mbetur pa president dhe pa qeveri funksionale për tetë muaj, pas vendimit të Gjykatës që shkarkoi ish-presidentin Milorad Dodik.
Asambleja Kombëtare e RS-së ka thirrur një referendum, ku qytetarët do të vendosin nëse do të pranojnë vendimet e Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, si dhe ato të Gjykatës dhe Komisionit Qendror Zgjedhor, të cilat sanksionuan Dodikun.
Dorëheqja e kryeministrit Radovan Višković ka thelluar edhe më tej krizën, pasi qeveria e tij mbetet vetëm në një “mandat teknik”, ndërkohë që Dodiku ka propozuar një kryeministër të ri – propozim që ligjërisht mund ta bëjë vetëm presidenti i entitetit, post të cilin ai nuk e mban më.
Analistët paralajmërojnë se kriza institucionale mund të zgjasë me muaj, duke rrezikuar funksionimin e fushave kyçe si shëndetësia, arsimi dhe policia. Profesori dhe analisti Enver Kazaz tha për Radion Evropa e Lirë se vendi mund të përballet me një “shpërbërje të plotë institucionale”, ndërsa opozita sheh si zgjidhje vetëm zgjedhjet e parakohshme.
Ndërkohë, bllokimi i institucioneve nga SNSD-ja e Dodikut ka ndalur miratimin e buxhetit të vitit 2025 dhe ka vonuar axhendën e reformave, gjë që ka sjellë edhe penalizime nga Bashkimi Evropian në kuadër të planit të rritjes ekonomike.
Ekspertët ligjorë theksojnë se referendumi nuk ka bazë kushtetuese, pasi Gjykata Kushtetuese e Bosnjës ka vendosur më herët se vendimet gjyqësore nuk mund të rishikohen përmes një referendumi. BE ka dënuar iniciativën e Dodikut, duke kërkuar respektim të plotë të vendimeve të gjykatave dhe institucioneve shtetërore.
Krizës politike i shtohet edhe pasiguria e thellë ligjore, duke lënë të paqartë të ardhmen e institucioneve në Republikën Srpska dhe funksionimin e qeverisë shtetërore të Bosnjës dhe Hercegovinës.