Regjistrimi i popullsisë 2024: Kosova humbi 177 mijë banorë, rënie prej 10% krahasuar me vitin 2011

Kosova ka shënuar një rënie të ndjeshme të popullsisë sipas regjistrimit të vitit 2024. Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe të analizuara nga Instituti GAP tregojnë se vendi numëron 1,602,515 banorë, ose 177,605 më pak se në vitin 2011 – që përbën një ulje prej rreth 10 për qind.
Nga 38 komunat e vendit, 28 prej tyre kanë pësuar rënie të popullsisë, ndërsa vetëm 9 komuna kanë regjistruar rritje. Rëniet më të theksuara janë shënuar në komunat veriore: Zveçani ka humbur 62% të popullsisë, Zubin Potoku 49%, ndërsa Kamenica 37%.
Në të kundërt, disa komuna kanë përjetuar rritje të konsiderueshme të numrit të banorëve. Rekordin e mban Fushë Kosova me një shtim prej 84%, e ndjekur nga Parteshi (+81%), Graçanica (+73%) dhe Shtërpca (+55%).
Raporti gjithashtu tregon një ndryshim të madh në shpërndarjen e popullsisë mes zonave urbane dhe rurale. Për herë të parë, popullsia është e ndarë në mënyrë të barabartë – 50% në qytete dhe 50% në fshatra. Krahasuar me vitin 2011, zonat urbane kanë fituar 12 pikë përqindjeje, duke dëshmuar trendin e qartë të migrimit nga fshatrat drejt qyteteve.