Kosova

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për krime lufte kundër një të dyshuari në Gjakovë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit D.R., i cili akuzohet për veprën penale “Krim lufte kundër popullsisë civile”, lidhur me ngjarjet e ndodhura gjatë luftës në Kosovë.

Sipas njoftimit zyrtar, hetimet kanë konstatuar se i pandehuri ka marrë pjesë në një sulm të gjerë dhe të organizuar të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullsisë civile shqiptare, gjatë periudhës 7–10 maj 1999 në qytetin e Gjakovës. Ai akuzohet se ka vepruar në bashkëkryerje me persona të tjerë në kryerjen e këtyre krimeve.

Në aktakuzë thuhet se D.R. dyshohet për vrasjen e tre civilëve shqiptarë, të cilët më pas janë keqtrajtuar fizikisht. Po ashtu, ai akuzohet për dëbimin e dhunshëm të banorëve shqiptarë nga lagjet e tyre, si dhe për plaçkitjen dhe shkatërrimin e shtëpive në disa zona të qytetit.

Prokuroria bazohet në dëshmi të viktimave dhe dëshmitarëve okularë, identifikimin e të pandehurit përmes fotografive, raporte të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe prova të tjera materiale të mbledhura gjatë hetimeve.

I pandehuri ndodhet aktualisht në paraburgim, ndërsa Prokuroria ka kërkuar zgjatjen e kësaj mase, duke u thirrur në rrezikun e arratisjes.

Prokuroria Speciale ka theksuar edhe një herë përkushtimin për të hetuar dhe ndëshkuar të gjitha krimet e kryera gjatë luftës, me qëllim të sjelljes së drejtësisë për viktimat dhe ndërtimit të një shoqërie të drejtë dhe demokratike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button