Kosova

Prokuroria nis hetimet ndaj një personi që dyshohet se ka penguar gjyqtarin gjatë detyrës

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj personit me inicialet Sh.B., si dhe ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.

Sipas njoftimit, ekziston dyshimi i bazuar se më 7 tetor 2025, rreth orës 09:30, në fshatin Berish të Komunës së Malishevës, i dyshuari ka tentuar me forcë të pengojë një gjyqtar të Gjykatës Themelore në Gjakovë – Dega në Malishevë, në kryerjen e detyrës zyrtare.

Në momentin e ngjarjes, gjyqtari N.Q. ndodhej në terren së bashku me procesmbajtësin për një kontest pronësor, kur i pandehuri fillimisht kishte debatuar me avokatin e palës, duke i thënë: “Pse ke hyr në këtë lëndë?”. Pas ndërhyrjes së gjyqtarit, i cili ishte prezantuar dhe kishte kërkuar që të mos pengohej seanca, i pandehuri ishte përgjigjur me tone të larta: “Unë jam mësuar që të shkoj në polici, thirri edhe njësinë speciale!”, ndërsa më pas kishte shtyrë gjyqtarin me duar në gjoks.

Prokuroria thekson se me këto veprime është formuar dyshimi se i pandehuri ka kryer veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, sipas nenit 401, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I dyshuari Sh.B. ndodhet nën masën e ndalimit 48-orësh që nga data 7 tetor 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button