Pritje madhështore për Sali Berishën në Krujë, të rinjtë surprizojnë liderin demokrat

Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot entuziazëm, qytetarët e Krujës i rezervuan një pritje madhështore liderit demokrat Sali Berisha, gjatë një vizite të veçantë në pazarin historik të qytetit. I shoqëruar nga simpatizantë dhe qytetarë të shumtë, Berisha u mirëprit me përzemërsi nga banorët e këtij qyteti me vlera të theksuara historike dhe tradita mikpritëse.
Rrugicat me kalldrëm të pazarit të vjetër, simbol kulturor i Krujës, u mbushën me qindra qytetarë që kishin dalë për të takuar liderin demokrat. Ndër ta, spikatën të rinjtë dhe maturantët, të cilët jo vetëm që kërkuan të shkrepnin foto me Berishën, por edhe e surprizuan me dhurata simbolike e tradicionale.
Kryedemokratit iu dhuruan jeleku dhe plisi, simbole të trashëgimisë kulturore të Krujës, të cilat qytetarët ia veshën me nder dhe respekt. Një artizane i dorëzoi Berishës një buf prej druri, dhuratë që lideri demokrat e quajti simbol të mençurisë. Në këtë kontekst, ai ironizoi kryesocialistin Edi Rama, duke thënë se “bufi është ai që e çmend dhe e nxjerr nga vetja”.
Një moment i veçantë i vizitës ishte takimi me një grup maturantësh, të cilët këtë vit votojnë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Ata i shprehën hapur mbështetjen e tyre Berishës, duke theksuar se do të votojnë për Partinë Demokratike, që sipas tyre, përfaqëson alternativën e duhur për të ardhmen e vendit.
Vizita e Sali Berishës në Krujë konfirmoi edhe një herë lidhjen e tij të fortë me qytetarët dhe përkrahjen që gëzon në qytetet me histori dhe simbolikë të veçantë për kombin shqiptar.