Kosova

Prishtina nën alarm për motin – Komuna paralajmëron për stuhi, rrufe dhe ulje drastike temperaturash

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar qytetarët për një ndryshim të papritur dhe të fuqishëm të kushteve atmosferike gjatë ditëve në vijim, duke theksuar rreziqet që mund të sjellin erërat e forta, rrëbeshet e shiut dhe rrufetë.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, dita e martë do të vijojë nën ndikimin e valës së të nxehtit, por pasdite pritet shtim i vranësirave dhe reshje lokale shiu, të shoqëruara me rrufe dhe erëra që mund të arrijnë deri në 70 km/h.

Nga dita e mërkurë, moti do të ndryshojë ndjeshëm. Një front i fuqishëm i ftohtë do të depërtojë në vend, duke shkaktuar një ulje drastike të temperaturave – deri në 20°C më pak se ditët e fundit. E enjtja parashikohet të jetë me vranësira të dendura dhe mot më të ftohtë se zakonisht për këtë periudhë të vitit. Stabilizimi gradual i motit pritet të nisë të premten, me rritje të lehtë të temperaturave, por ato do të mbesin nën 30°C.

Komuna ka bërë thirrje që qytetarët të marrin masa paraprake për sigurinë e tyre dhe të familjarëve:

Qëndroni të informuar për paralajmërimet nga institucionet dhe mediat zyrtare;

Shmangni qëndrimin në ambiente të hapura gjatë stuhive dhe rrufesë;

Siguroni objektet e jashtme që mund të dëmtohen nga erërat;

Tregoni kujdes të shtuar për të moshuarit dhe fëmijët;

Mos parkoni automjetet nën pemë apo struktura të pasigurta.

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka bërë të ditur se është në gatishmëri të plotë dhe në bashkëpunim me të gjitha shërbimet e reagimit për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Njoftimet do të vijojnë në kohë reale sipas zhvillimeve të motit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button