Presidentja Osmani fton partitë në takim për nesër në ora 12:00

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar partitë politike në një takim që do të mbahet nesër në ora 12:00. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.
“Takimi është ftuar për nesër në orën 12:00”, ka deklaruar Kupina.
Ky takim vjen pas dështimit të 26 tetorit, kur kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk arriti të sigurojë 61 vota për formimin e qeverisë.
Kupina ka theksuar se gjatë konsultimeve me partitë politike, presidentja Osmani do të potencojë rëndësinë e miratimit të Buxhetit për vitin 2026 dhe miratimin e Planit të Rritjes, si dokumente kyçe për stabilitetin institucional dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas tij, presidentja do të bëjë thirrje për kompromis politik, për të garantuar interesin e Kosovës dhe të qytetarëve të saj.
“Presidentja do t’i inkurajojë partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës,” ka theksuar Kupina.



