Policia e Mitrovicës Veri përfundon trajnim për komunikim dhe ndjeshmëri gjinore

Zyrtarët policorë nga Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri kanë përfunduar sot punëtorinë me temën “Komunikimi për de-eskalim dhe ndjeshmëri gjinore”, e cila kishte filluar në qershor 2025 në ambientet e Drejtorisë Rajonale.
Në trajnim kanë marrë pjesë 201 zyrtarë policore nga gjeneratat 59, 60, 61 dhe 62 të Policisë së Kosovës.
Sipas Policisë së Kosovës, punëtoria, e organizuar nga EULEX dhe Policia e Kosovës, kishte për qëllim ngritjen e kapaciteteve profesionale në fushën e komunikimit efektiv, parandalimin dhe uljen e tensioneve, si dhe forcimin e ndjeshmërisë gjinore gjatë ushtrimit të detyrës policore. Pjesëmarrësit patën mundësinë të shkëmbejnë përvoja, të diskutojnë raste praktike dhe të thellojnë njohuritë mbi qasjet bashkëkohore në menaxhimin e situatave që kërkojnë kujdes të veçantë.
Policia e Kosovës falënderoi EULEX-in për mbështetjen në realizimin e këtij trajnimi.