Policia e Kuçovës arreston 34-vjeçarin e shpallur në kërkim për kultivim narkotikësh

Policia e Kuçovës ka arrestuar një 34-vjeçar të shpallur në kërkim tre ditë më parë, në kuadër të operacionit të koduar “Kultivimi”, i cili ka për qëllim vënien përpara drejtësisë të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Mendrak, në vitin 2021.
I arrestuari, E. M., banues në Tiranë, u kap si rezultat i hetimeve të koordinuara me Prokurorinë e Beratit dhe kontrolleve të mbështetura në inteligjencën policore. Ai dyshohet se ka vepruar në bashkëpunim me shtetasit Sh. H. (arrestuar më 13 maj 2025) dhe B. Ll., i cili ende është në kërkim. Të tre ata akuzohen për kultivim të bimëve narkotike të llojit Cannabis Sativa në territorin e fshatit Mendrak.
Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat për veprime të mëtejshme procedurale.