
Policia e Kosovës sot feston 26-vjetorin e themelimit të saj. Me këtë rast, nga ora 19:00 do të mbahet ceremonia qendrore.
Më 6 shtator 1999, uniformat e para të Shërbimit Policor të Kosovës (SHPK) u panë në rrugët e kryeqytetit, duke shënuar fillimin e një prej institucioneve më të rëndësishme për sigurinë e vendit pas luftës. Themelimi i Policisë u bë në kuadër të Misionit të OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me hapjen e Shkollës së Policisë dhe trajnimin e gjeneratës së parë të pjesëtarëve.
Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, Policia e Kosovës mori plotësisht kompetencat nga Policia e UNMIK-ut, duke u konsoliduar si institucion i sigurisë dhe rendit në shtetin e Kosovës.