PL pret kreun e misionit të ODIHR/ Meta: Rama po pengon opozitën, zgjedhjet janë nën kërcënim serioz
Struktura e Partisë së Lirisë ka pritur sot Ambasadorin Lamberto Zannier, kreun e Misionit të OSBE/ODIHR për vëzhgimin e zgjedhjeve të 11 majit. Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i PL-së Ilir Meta e cilësoi këtë takim si një nisje domethënëse të procesit të monitorimit, duke theksuar rëndësinë jetike që kanë këto zgjedhje për të ardhmen europiane të vendit.

Përfaqësuesit e PL i kanë paraqitur misionit të ODIHR shqetësime të thella mbi përdorimin abuziv të burimeve shtetërore nga mazhoranca dhe presionet ndaj administratës. Meta denoncoi gjithashtu pengesat kriminale të vendosura ndaj veprimtarisë së tij politike përmes izolimit të paligjshëm dhe mohimit të të drejtave elektorale. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për manipulim të qëllimshëm të zgjedhjeve dhe goditje mafioze ndaj kundërshtarëve politikë. PL shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar për një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe të standardeve të larta demokratike.
Meta:
Kënaqësi e veçantë që Ambasadori, Z. Lamberto Zannier, kreu i Misionit të OSBE/ODIHR për Vëzhgimin e Zgjedhjeve të 11 Majit nisi sot me Partinë e Lirisë takimet me forcat politike.
Zgjedhjet e 11 Majit janë më jetiket për Shqipërinë dhe përcaktuese për integrimin e saj europian ndaj dhe përfaqësuesit e PL ndanë gjerësisht në këtë takim shqetësimet e shumta që lidhen me realizimin e një procesi të lirë dhe të ndershëm, nga shpërdorimi flagrant i fondeve financiare të Buxhetit të Shtetit, mijëra punësime të paligjshme e politike, keqpërdorimi i administratës publike dhe infrastrukturës e logjistikës shtetërore për fushatën e partisë në pushtet e deri te presionet nëpërmjet sistemit kriminal të patronazhistëve, duke dhunuar hapur Kodin Zgjedhor dhe çdo ligj tjetër.
Përfaqësuesit e PL theksuan se këto probleme shumë të rënda janë derivate të kapjes së shtetit dhe institucioneve të pavarura nga Edi Rama, i cili kërkon të mbajë me çdo kusht Narkopushtetin duke manipuluar zgjedhjet dhe duke përdorur shtetin në funksion të shit-blerjes së votave dhe shantazhit ndaj votuesve.
Gjithashtu u vë në dukje fakti tepër skandaloz i pengimit kriminal të aktivitetit tim politik dhe elektoral, si lider i partisë së dytë opozitare në vend, nëpërmjet izolimit ekstrem për mbi 6 muaj pas një rrëmbimi banditesk të orkestruar dhe ekzekutuar nga Qeveria, pa fakte, pa dokumente dhe pa prova penale, duke më pamundësuar jo vetëm takimet me drejtuesit e Partisë së Lirisë, kontaktet me zgjedhësit, por edhe duke më mohuar të drejtën elementare të njihem dhe të shoh materialet e fushatës time elektorale, si kandidat për deputet i koalicionit “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në listën e hapur të Qarkut Tiranë.
Këto janë dëshmi të përpjekjeve kriminale të Edi Ramës jo vetëm për të penguar aktivitetin normal politik e elektoral të opozitës, por edhe të goditjes mafioze të kundërshtarëve të tij politikë, nëpërmjet burgosjes, duke cënuar rëndë parimet e shtetit të së drejtës, të demokracisë, të lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor.
Përfaqësuesit e Partisë së Lirisë i shprehën Ambasadorit Zannier gatishmërinë e plotë të opozitës për të kontribuar për një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe për realizimin e standardeve sa më të larta në zgjedhje.