Personazhe të famshëm i bëjnë homazh Papa Françeskut pas vdekjes së tij në moshën 88-vjeçare

Pas lajmit të hidhur për vdekjen e Papa Françeskut të hënën e Pashkëve, në moshën 88-vjeçare, figura të njohura nga bota e artit dhe muzikës kanë shprehur publikisht dhimbjen dhe respektin e tyre për Atin e Shenjtë, i cili ia kushtoi tërë jetën shërbimit ndaj Zotit dhe Kishës Katolike.
Aktori i njohur spanjoll, Antonio Banderas, ndau një kujtim të veçantë me Papën nga viti 2016, shoqëruar me fjalë prekëse: “Papa Françesku ka vdekur, një njeri i cili, në krye të Kishës Katolike, tregoi mirësi, dashuri dhe mëshirë për njerëzit më në nevojë.” Edhe pse më herët është shprehur si agnostik, Banderas ka pohuar afërsinë e tij me spiritualitetin katolik.
Eva Longoria, e cila gjithashtu pati mundësinë ta takojë Papën në vitin 2016, e kujtoi me mirënjohje dhe dashuri: “Pusho në paqe, Shenjtëria Juaj Papa Françesku. Faleminderit që ishe aleat për shumë prej nesh dhe që fole për të margjinalizuarit. Dhembshuria, mirësia dhe përulësia juaj do të kujtohen gjithmonë.”
Një tjetër homazh i ndjerë erdhi nga këngëtarja e njohur skoceze Susan Boyle, e cila performoi për Papën në vitin 2019. Ajo e quajti këtë moment si “nderi dhe privilegji i jetës së saj”, duke e përshkruar Papën si “një njeri për të gjitha stinët.”
Figura të shumta nga të gjitha besimet dhe brezat janë bashkuar në këtë homazh global, duke dëshmuar ndikimin e thellë që Papa Françesku pati në botë si një simbol i dashurisë, përulësisë dhe paqes.