Përplasje në Fier mes BKH dhe të afërmve të Agron Kapllanajt, arrestohen 3 persona

Detaje të reja janë zbuluar lidhur me incidentin e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Fier, ku hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) janë përfshirë në një përplasje fizike me të afërm të ish-kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se si pasojë e ngjarjes janë arrestuar tre persona. Sipas informacioneve zyrtare nga policia, forcat e BKH-së dhe ato të Forcës së Posaçme Operacionale ndodheshin në qarkun e Fierit për të kryer veprime hetimore, kur janë konfliktuar me të afërmit e Kapllanajt.
Ndonëse natyra e veprimeve hetimore mbetet ende top sekret, mësohet se gjatë operacionit është përdorur edhe një dron për vëzhgimin e subjekteve të caktuara.
Njoftimi zyrtar i policisë:
Sipas burimeve zyrtare, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20, në aksin rrugor Fier – Patos. Gjatë kryerjes së detyrës, hetuesit e BKH-së dhe shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale janë sulmuar fizikisht nga disa persona, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier.
Ndërkohë, Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm në Fier ka marrë në dorë hetimin e çështjes, ndërsa vijojnë procedurat për zbardhjen e plotë të ngjarjes.