Lajme

Përgatitjet për zgjedhjet: Materialet zgjedhore arrijnë në Elbasan, KZAZ-të në gatishmëri për numërimin

Në prag të procesit zgjedhor, makinat e ushtrisë kanë dërguar në Elbasan materialet zgjedhore, duke sinjalizuar një hap të rëndësishëm në përgatitjet për votimin. Aktualisht, nga ana e Komisioneve Zonale të Administratës Zgjedhore (KZAZ-ve), është kryer marrja e bazës materiale nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ndërsa janë krijuar kushtet e nevojshme në të gjitha Qendrat e Votimit (VNV) për zhvillimin e procesit të numërimit, në përputhje me aktet ligjore dhe nenligjore.

Përveç kësaj, janë zhvilluar trajnime nga trajnuesit e caktuar nga KQZ-ja, për të siguruar që procesi të jetë i organizuar dhe i saktë. Sipas informacionit të fundit, deri në mesditën e sotme, nga KQZ-ja janë marrë vetëm një pjesë e materialeve, përfshirë kamerat e vëzhgimit për çdo qendër votimi. Deri më tani, materialet zgjedhore kanë mbërritur plotësisht vetëm në dy nga katër KZAZ në Bashkinë e Elbasanit, ndërsa shpërndarja e plotë e materialeve është planifikuar të përfundojë brenda 48 orëve të ardhshme, sipas grafikut të hartuar nga KQZ-ja.

Po ashtu, janë kryer montimet e monitoreve dhe kamerave në VNV për mbikëqyrjen e procesit zgjedhor. Në lidhje me sigurinë dhe rendin, Policia e Shtetit ka marrë masat e nevojshme, në përputhje me udhëzimet e miratuara nga KQZ-ja, për të siguruar zhvillimin pa probleme të zgjedhjeve.

Përgatitjet për procesin zgjedhor janë në rrugën e duhur dhe përfundimi i shpërndarjes së materialeve do të sigurojë një zhvillim të suksesshëm të zgjedhjeve të 11 majit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button