Kosova

Përfundon takimi i Presidentes Osmani me liderët politikë, zgjedhjet e jashtëzakonshme duken të pashmangshme

Ka përfunduar takimi i Presidentes Vjosa Osmani me liderët e partive politike, i zhvilluar gati një javë pasi mandatarit të parë, Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, i dështoi përpjekja për formimin e qeverisë.

Sipas Kushtetutës, Presidentja duhet të caktojë një mandatar të ri brenda 10 ditësh nga dështimi i të parit, por aktualisht nuk ka shenja se partitë mund të krijojnë një shumicë parlamentare që do të mundësonte formimin e institucioneve të reja. Kjo e bën gjithnjë e më të mundshme mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Ndonëse nënkryetarja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, kishte paralajmëruar se qëndrimi i partisë për një mandatar të ri do të bëhej publik sot, kryetari i saj, Albin Kurti, nuk dha përgjigje të qartë. “Do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje dhe falënderojmë presidenten për takimin”, tha Kurti para gazetarëve.

Takimi u mbajt një ditë pas mbledhjes së qeverisë në detyrë, ku u miratua buxheti për vitin 2026 — një veprim i cilësuar si kundërkushtetues nga partitë opozitare, të cilat e akuzuan Kurtin për uzurpim të kompetencave shtetërore. Vendimet për rritjen e pensioneve dhe shtesave u panë gjithashtu si përpjekje për “blerje votash” përmes buxhetit publik.

Zëdhënësi për media i Presidentes, Bekim Kupina, deklaroi se Osmani në këtë takim ka inkurajuar partitë politike të bashkëpunojnë për të shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe funksionimin e institucioneve të vendit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button