Lajme

PD denoncon përdorimin e punonjësve të Bashkisë Berat për fushatë elektorale: “Call center për votat e emigrantëve”

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun e Beratit, Eno Bozdo, ka hedhur akuza të forta ndaj Bashkisë Berat, duke denoncuar përdorimin e administratës publike për qëllime elektorale në favor të Partisë Socialiste.

Sipas Bozdos, në një hotel privat shumë pranë Bashkisë Berat, gjatë orarit zyrtar, punonjës të bashkisë dhe agjencive në varësi të saj po përdoren si operatorë të një call center-i, duke telefonuar emigrantët e qarkut që janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e 11 majit dhe duke u kërkuar votën për PS-në.

“Administrata që paguhet nga taksat tona është kthyer në një ushtri patronazhistësh të partisë në pushtet,” u shpreh Bozdo, duke shtuar se punonjësit e bashkisë përdorin numrat e emigrantëve të marrë, sipas tij, në mënyrë të paligjshme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Ai akuzoi konkretisht disa zyrtare të bashkisë si organizatore të këtij operacioni antiligjor, përfshirë Silvi Merdanin, ish-drejtoreshë e Turizmit, dhe Arisa Toskën, Sekretare e Përgjithshme e Bashkisë Berat. Në telefonin e Toskës, sipas tij, ndodhen grupet e patronazhistëve dhe listat e votuesve. Ndërsa në laptopin e Ervin Demos gjenden të dhënat e kontaktit të emigrantëve që pritet të votojnë.

Bozdo denoncoi gjithashtu një tjetër skemë, atë të blerjes së votës përmes ndërhyrjeve infrastrukturore në prag të zgjedhjeve. “Hedhja masive e cakullit dhe asfaltit elektoral po ndodh në mes të ditës,” deklaroi ai, duke përmendur si përgjegjëse Joana Melengun, drejtoreshë në bashki, e cila sipas tij ka qenë e përfshirë edhe në parregullsi në zgjedhjet e vitit 2021.

Në fund, Bozdo i bëri thirrje SPAK-ut të ndërhyjë menjëherë: “Nëse ka vullnet, SPAK mund të kapë në flagrancë punonjësit në sallën e konferencave të hotelit ngjitur me bashkinë, si dhe kamionët që shpërndajnë asfalt elektoral në mes të ditës!”

Partia Demokratike njoftoi se përveç këtij denoncimi publik, po depoziton edhe një kallëzim zyrtar pranë organeve të drejtësisë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button