Kosova

Pasiguri për tarifat e energjisë, çmimet e rrymës mund të rriten sërish në Kosovë

ZRRE-ja, e cila më herët kishte paralajmëruar rishikim të tarifave të energjisë elektrike, tashmë një javë nuk ka dhënë asnjë përgjigje nëse do të ketë shtrenjtim apo ulje të çmimeve të rrymës.

Kjo pasiguri vjen në një kohë kur rritja e fundit e çmimit të energjisë për 16.1% në prill të këtij viti vazhdon të ndikojë drejtpërdrejt në çmimet e produkteve ushqimore në tregjet e Kosovës.

Drejtori i Dhomës së Tregtisë, Kushtrim Ahmeti, ka deklaruar për RTV21 se një rritje tjetër eventuale e çmimit të energjisë elektrike do të sillte sfida të reja për qytetarët dhe ekonominë e vendit. “Ne veç i shohim pasojat e para që është rritja e importit dhe zvogëlimi i eksportit…”, tha Ahmeti.

Edhe pse Kosova ka rezervat më të mëdha të thëngjillit në rajon, vendi vazhdon të mbulojë një pjesë të madhe të konsumit të energjisë elektrike përmes importit. KESCO ka njoftuar se do të ofrojë statistika për përqindjen e importit, por deri më tani nuk ka lejuar qasje të plota në këto të dhëna.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në maj të vitit 2025 Kosova ka importuar rreth 82% të energjisë së konsumuar. Ky nivel i lartë i importit ka tërhequr vëmendjen e Komunitetit të Energjisë në Vjenë dhe të Zyrës së Rregullatorëve të Energjisë në Lubjanë, pasi ndërkohë që çmimi i energjisë elektrike ka rënë në shumicën e vendeve të botës, në Kosovë po vazhdon të rritet.

Përveç importit të lartë për qytetarët, një pjesë edhe më e madhe e energjisë po importohet nga bizneset që veprojnë në tregun e hapur energjetik, vendim ky i ZRRE-së që është cilësuar si “problematik”.

Me ardhjen e vjeshtës dhe uljen e temperaturave, çmimi për një megavat në tregjet ndërkombëtare të energjisë elektrike është rritur, duke rritur rrezikun e shtrenjtimit të mëtejshëm të rrymës. “Ky është vetëm fillimi, sepse çmimi i një megavati në tregun e hapur rrezikon të shtrenjtohet edhe më shumë…”, ka deklaruar Ajvazi për RTV21.

Ndërkohë, tregu i hapur energjetik ka hyrë edhe në proces gjyqësor. Gjykata Supreme e Kosovës ka caktuar datën 5 nëntor për mbajtjen e seancës gjyqësore, pas padisë së iniciuar nga Oda Ekonomike e Kosovës kundër vendimit të ZRRE-së, që ka detyruar mbi 1300 biznese të blejnë energji në tregjet ndërkombëtare.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button