Lajme

Pashkët Katolike dhe Ortodokse bashkojnë besimtarët – Imzot Arjan Dodaj: “Të ringjallim shpresën dhe vlerat hyjnore”

Besimtarët katolikë dhe ortodoksë do të festojnë nesër Pashkët, një rast i rrallë ku të dyja komunitetet kremtojnë këtë festë të shenjtë në të njëjtën ditë. Në prag të Pashkëve, nuk kanë munguar urimet dhe mesazhet frymëzuese nga figura të njohura të institucioneve fetare.

Imzot Arjan Dodaj ka ndarë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët, duke vënë theksin te ringjallja jo vetëm si simbol i fesë, por edhe si një thirrje për ringjalljen e shpresës, vlerave dhe angazhimit për një të ardhme më të ndritur.

“Të mësojmë nga gabimet e shumë vendeve perëndimore dhe mos t’i pranojmë me sipërfaqësi. Mesazhi dhe angazhimi i parë jo vetëm i fesë, por i gjithë institucioneve duhet të jetë pro institucionit të hershëm që është: institucioni Hyjnor, i jetës dhe i familjes,” u shpreh ai.

Imzot Dodaj theksoi rëndësinë e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore, duke u bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të bashkohen për të kultivuar punën e ndershme, ndërgjegjen dhe vlerat kombëtare.

“Të bëjmë në mënyrë që Shqipëria të jetë e të gjithëve me pasuritë e saj të larmishme natyrore, shpirtërore, kulturore, artistike. Sepse në këto vite, jo rrallë herë, për përfitimin e një pakice kemi humbur thesare që nuk kthehen më,” u shpreh ai.

Në përfundim të mesazhit të tij, ai uroi që Krishti i Ringjallur të jetë frymëzim për të gjithë në ringjalljen e shpresës, paqes dhe harmonisë mes njerëzve.

“Krishti është ringjallur, të ringjallim edhe ne shpresën për një të ardhme me më shumë jetë, entuziazëm, paqe dhe harmoni mes nesh. Gëzuar për shumë mot Pashkët!”, përfundoi Imzot Arjan Dodaj.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button