
Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Jonathan Pano, reagoi ashpër ndaj deklaratave të fundit të Kryeministrit Edi Rama, të cilat i cilësoi si skandaloze dhe fyese për qytetarët, veçanërisht për të rinjtë.
Pano u shpreh se këto deklarata janë shenja të një paniku të qartë nga frika e humbjes, ndërsa tregojnë largimin e Ramës nga realiteti i shqiptarëve. Ai theksoi se qeverisja aktuale ka dështuar në mbrojtjen dhe forcimin e familjes shqiptare, duke promovuar politika që shkatërrojnë vlerat tradicionale. Si një nga pikat kyçe të programit të PD-së, Pano përmendi krijimin e një Ministrie për Familjen, e cila do ta trajtojë familjen si një investim kombëtar dhe jo si një kosto. Sipas tij, ky është një hap konkret për të ndalur shpopullimin dhe për të rikthyer shpresën te të rinjtë dhe familjet shqiptare.
Deklarata e tij:
Po duket që po e ndjen humbjen dhe duket që e ka kapur paniku i orëve të fundit, dhe në atë klithmën e tij përpiqet që të shprehet me batuta që në mendimin e tij mund të jenë metafora, por në realitet janë ofendime dhe një komunikim skandaloz që po i përcillet qytetarëve.
Vetëm dy ditë më parë kam bërë një video reagimi për Ramën, i cili bëri thirrje publike për rinjtë nën moshën 18 vjeçare që të kërkojnë në Google “Edi Rama nudo”. Çfarë ka më skandaloze se kaq? Ata ishin minorenë dhe një pjesë e tyre ishin në moshën 14-vjeçare. Dhe çfarë ishte më skandaloze, në orët e darkës po kërkoja në Google për fjalët që kërkoheshin më shumë dhe e dini që kishte pasur një bum kërkimesh në internet me fjalët “Edi Rama nudo”, kryesisht në qarkun Dibër dhe Kukës.
Edi Rama ka 12 vjet që po keqqeveris këtë vend dhe ai po dëmton realisht familjen shqiptare. Me projektligjin që ka tentuar të kalojë, me të gjitha agjendat globaliste majtiste, abortin e 16-vjeçarëve pa dijeninë e prindërve… ne kemi nevojë të ngremë zërin tonë. PD është një parti konservatore e djathtë që do të thotë se jemi pro jetës, familjes, vlerave tradicionale që i mbartim prej qindra vitesh.
Duket se më pas, dje kërkoi falje për mënyrën se si u shpreh dhe për keqkuptimin mediatik të konteksteve. Kështu e kishte përshkruar. Vetëm për të shmangur pjesën e procedurave të komisionerëve kundër diskriminimit për të gjithë ata fëmijë që mund të jenë prekur nga sindroma e autizmit. Por kjo nuk e shpjegon Edi Ramën. Sepse edhe ajo që u tha Rama vajzave, që nëse i dashuri juaj nuk voton PS, ndahuni, është lufta e klasave që ka mbetur me komunizmin. Brezi i prindërve tanë e ka mësuar më së miri këtë.
Nëse nuk i përkasim të njëjtës parti, nuk mund të jemi bashkë dhe nuk mund të dashurohemi. Në mendësinë e tij komuniste, ai vazhdon akoma me ndarjen e klasave dhe me degjenerimin e familjes tradicionale. Me shkatërrimin e familjes, Rama fiton kontroll absolut.
Terreni është tjetër, ka një frymë të jashtëzakonshme dhe mbi 80% e njerëzve duan ndryshim dhe nuk e duan më Ramën kryeministër. Këto janë statistika të dala nga terreni dhe jo statistika nga ekrane të sponsorizuara nga inceneratorë. Njerëzit duan ndryshim dhe risi. Propozimi i PD për krijimin e Ministrisë së Familjes, për ta parë familjen si investim dhe jo si shpenzim, është një nga pikat kryesore të qeverisjes dhe pritet në mënyrë të jashtëzakonshme nga qytetarët. Kemi nevojë ta shohim familjen si investim, me modelin hungarez. Një projekt i marrë në Hungari dhe atë që Hungaria po bën për vendin e saj. Në Shqipëri kemi shpopullim që vjen nga fertiliteti i ulët dhe nga emigrimi masiv.
Ne kemi në dorë të rrisim lindshmërinë dhe, së dyti, të krijojmë mundësi që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen në vend dhe ata që janë larguar të kthehen dhe të investojnë në vendin e tyre.