Lajme

Pabarazia rritet: Pensionet rriten më ngadalë se pagat, pensionistët gjithnjë e më të varfër

Paga mesatare në Shqipëri ka shënuar rritje të shpejtë gjatë dy viteve të fundit, ndërsa pensionet kanë mbetur prapa në këtë trend, duke thelluar hendekun mes të punësuarve dhe pensionistëve.

Sipas të dhënave zyrtare, paga mesatare mujore bruto në vitin 2024 arriti në 77,457 lekë, me një rritje rreth 10% krahasuar me vitin 2023. Ndërkohë, pensioni mesatar për muajin tetor 2024 u regjistrua në 19,092 lekë, duke u rritur vetëm me 4% në krahasim me një vit më parë.

Kjo diferencë në ritmin e rritjes ka ndikuar drejtpërdrejt në fuqinë blerëse të pensionistëve. Në vitin 2024, pensioni mesatar përbënte vetëm 24.6% të pagës mesatare mujore bruto, nga 26% që ishte kjo përqindje në vitin 2023 dhe 32% një dekadë më parë.

Instituti i Statistikave (INSTAT) sqaron se një pensionist konsiderohet në varfëri nëse pensioni i tij është më pak se gjysma e pagës mesatare në vend. Me rritjen më të shpejtë të pagave krahasuar me pensionet, gjithnjë e më shumë pensionistë po i afrohen kësaj kufire.

Përveç rritjes së çmimeve të produkteve bazë, që e rëndon më tej jetesën e pensionistëve, një tjetër faktor shqetësues është rritja e numrit të atyre që përfitojnë pensione të pjesshme. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në gjysmën e parë të vitit 2023, 50% e përfituesve të pensionit të pleqërisë kishin pension të pjesshëm, nga 45% që ishte ky nivel në vitin 2021.

Në total, gjatë kësaj periudhe numri i përfituesve të pensionit të pleqërisë ishte 503,747 vetë, prej të cilëve 258,312 morën pagesa të pjesshme.

Të dhënat tregojnë se hendeku mes pagave dhe pensioneve pritet të zgjerohet më tej në vitet në vijim, pasi mungesa e fuqisë punëtore po ushtron presion për rritje më të larta të pagave në tregun e punës, ndërsa sistemi i pensioneve mbetet nën sfida të mëdha financiare dhe demografike.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button